
Argjinare në tigan me vaj ulliri, hudhër dhe majdanoz.
Argjinaret janë një nga perimet më të shijshme e me plot vlera. Mund të shoqërojnë për bukuri mishin, peshkun, vezët dhe arrijnë gjithmonë të jenë protagonistet e vërteta të pjatës. Kjo recetë e thjeshtë është dhe mënyra më e shpejtë për t’i gatuar. Unë përdor një tenxhere gize, por dhe nje tenxhere normale me pak spesor, apo një tigan i rëndë me kapak, bëjnë të njëjtën punë. 😉
⁃ Argjinare 8
⁃ Vaj ulliri 50 gr
⁃ Hudhër 1 thelpi
⁃ Kripë
⁃ Ujë 2 gota
⁃ Majdanoz
⁃ Lëngun e 1 limoni
Fillojmë me pastrimin e argjinareve: pregatisim një tas me ujë të ftohtë dhe lëngun e limonit. U presim bishtin e më pas heqim petalet më të forta. Presim majat deri ne 2-3 cm, i hapim petalet me kujdes në mes dhe me një thikë të vogël, heqim mustaqet në zemër të lules. I vendosim në ujin e tharët i cili do të pengojë nxirjen e tyre.
Hedhim vajin në tenxhere bashkë me hudhrën. E ngrohim për 1 min dhe më pas sistemojmë argjinaret. Shtojmë pak kripë, majdanoz dhe 1 gotë ujë. Vendosim kapakun dhe i lemë të ziejnë për 10 min.
I kthejmë argjinaret nga ana tjetër, shtojmë një gotë ujë dhe ziejmë për 15 minuta të tjera. I servirim me pak nga lëngu i tyre dhe majdanoz të freskët. Gatim të mbarë të gjëmbaçit të bukur me shije delikate! 😋
